Myftiu Tërnava mori pjesë në shënimin e përvjetorit të 30-të të gjenocidit në Srebrenicë

Prishtinë, më 11 korrik 2025

Myftiu i Kosovës në Potoçar të Srebrenicës, në 30-vjetorin e gjenocidit serb mbi popullatën boshnjake

Në përvjetorin e 30-të të gjenocidit në Srebrenicë, Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, mori pjesë në ceremoninë zyrtare përkujtimore të mbajtur në Qendrën Memoriale në Potoçar. Në këtë ngjarje të rëndësishme ishin të pranishëm udhëheqësit më të lartë të Bosnjës dhe Hercegovinës, si dhe delegacione nga vende të ndryshme të botës.

Myftiu Tërnava mori pjesë edhe në faljen e namazit të xhumasë në mesxhidin e Qendrës Memoriale, si dhe në faljen e namazit të xhenazes për shtatë viktimat e reja të identifikuara të gjenocidit, trupat e të cilëve janë varrosur pas 30 vitesh.

Me këtë rast, te varrezat e viktimave, Myftiu bëri lutje për shpirtat e të gjithë atyre që u masakruan nga forcat serbe, duke shprehur respektin dhe dhembjen e thellë për humbjen e tyre.

Ai ishte i shoqëruar nga Reisul-ulema i Bashkësisë Islame në Bosnjë e Hercegovinë, Husein ef. Kavazoviq, dhe nga Reisul-ulema i Bashkësisë Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut, hfz. Shaqir ef. Fetai. Së bashku vizituan Qendrën Memoriale dhe varrezat e viktimave të gjenocidit në Potoçar, duke shprehur solidaritetin dhe nderimin e tyre për viktimat dhe familjet e tyre.