Myftiu Tërnava mori pjesë në Samitin e 10-të të kryetarëve të bashkësive fetare islame të shteteve të Ballkanit

Prishtinë, më 31 mars 2026

Nën organizimin e DIJANET-it të Turqisë, sot, në Shkup, u mbajt Samiti i 10-të i kryetarëve të bashkësive islame fetare të shteteve të Ballkanit, në të cilën morën pjesë myftinjë, kryetarë dhe përfaqësues të institucioneve fetare nga vendet e Ballkanit.

Tema boshte e këtij Samiti qe “Roli dhe ndikimi i bashkësive fetare në përforcimin e kulturës dhe bashkëjetesës në vendet e Ballkanit”.

Në ceremoninë hapëse të këtij Samiti, morën pjesë përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore dhe fetare, të cilët u uruan mysafirëve mirëseardhje, si dhe përgëzuan organizatorët për organizimin e këtij Samiti, duke e vlerësuar atë si tejet të qëlluar dhe të nevojshëm për kohën.

I pranishëm nga Kosova në këtë Samit qe kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef.Tërnava, i cili mbajti kumtesën e tij me titull “Roli integrues dhe transformues i bashkësive islame në Ballkan në promovimin e paqes së qëndrueshme, dialogut ndërfetar dhe kohezionit shoqëror”.

Ai tha se ky Samit nuk është vetëm një hapësirë diskutimi, por një platformë strategjike për thellimin e dialogut, për shkëmbimin e përvojave institucionale, dhe për ndërtimin e një vizioni të përbashkët mbi sfidat dhe mundësitë që kemi përpara.

Myfiu Tërnava foli edhe për rolin dhe historikun e Ballkanit, duke thënë se ai përfaqëson një hapësirë unike gjeokulturore dhe historike, ku ndër shekuj janë ndërthurur sfida të mëdha, por edhe shumë përvoja të bashkëjetesës.

Duke folur për rolin e bashkësive islame të Ballkanit, ai tha se ato kanë luajtur dhe vazhdojnë të luajnë një rol të veçantë në ndërtimin dhe ruajtjen e këtij ekuilibri delikat, ndërkulturor dhe ndërfetar. Në këtë mozaik të ndjeshëm dhe të pasur, bashkësitë islame kanë qenë dhe mbeten pjesë përbërëse e identitetit të tij historik, kulturor, fetar dhe etik.

“Fatkeqësisht, edhe sot, kur ne, të nderuar efendilerë, jemi mbledhur në këtë Konferencë këtu në Shkup, për të reflektuar mbi paqen, dialogun dhe bashkëpunimin, në shumë vende të botës vazhdon të mbizotërojë logjika e dhunës dhe jo ajo e arsyes. Jemi dëshmitarë të vrasjeve të fëmijëve, të civilëve të pafajshëm dhe të të moshuarve, si dhe të shkatërrimit të infrastrukturës, pothuajse të çdo gjëje nëpër vende të ndryshme të konflikteve dhe luftërave, e të ndërtuara me mund e sakrificë nga shoqëri të ndryshme njerëzore. Konfliktet dhe luftërat, për fat të keq, mbeten një realitet i hidhur dhe i përhapur në shumë rajone të globit, e në veçanti në Lindjen e Mesme” – tha ndër të tjera Myftiu Tërnava.

Myftiu Tërnava, foli edhe rreth rolit që kanë dhënë shqiptarët në bashkëjetesën ndërmjet besimeve të ndryshme.

“Duke pasur parasysh se pjesa më e madhe e besimtarëve islam në Ballkanin Perëndimor i përkasin popullit shqiptar, vlen të theksohet se shqiptarët, historikisht i takojnë tri besimeve kryesore fetare. Në vazhdimësi, shqiptarët pa dallim besimi, kanë ndërtuar dhe ruajtur një traditë të qëndrueshme të bashkëjetesës ndërfetare. Kjo traditë është karakterizuar nga mungesa e konflikteve mbi baza fetare, nga respekti i ndërsjellë për përkatësinë shpirtërore të tjetrit, dhe nga një kulturë e konsoliduar harmonie dhe mirëkuptimi shoqëror” – pohoi ndër të tjera Myftiu Tërnava.

Myftiu Tërnava më pas tha se bashkësitë islame në Ballkan mund të jenë ura besimi, ura ndërmjet komuniteteve, ura ndërmjet traditës dhe modernitetit, ura ndërmjet identitetit fetar dhe përgjegjësisë qytetare, ura ndërmjet dallimeve-divergjencave dhe harmonisë.

“Ky mision, i rrënjosur thellë në traditën shpirtërore dhe institucionale, është mishëruar ndër shekuj nga institucionet tona, të cilat me përkushtim kanë kultivuar vlerat e drejtësisë, mëshirës, bashkëjetesës dhe përgjegjësisë shoqërore. Në këtë kuptim, angazhimi ynë i sotëm nuk është thjesht një përgjigje ndaj sfidave bashkëkohore, por një vijimësi organike e një trashëgimie të pasur dhe të qëndrueshme, e cila na obligon të veprojmë me vizion, urtësi dhe përgjegjësi në shërbim të së mirës së përbashkët” – tha ndër të tjera Myftiu Tërnava.

Myftiu Tërnava, në fund të fjalës së tij përmendi edhe qëllimet që duhet të kenë bashkësitë islame, ndër të cilat përmendi: ndërtimi i një kulture të qëndrueshme paqeje. Një paqe, që nuk mbështetet vetëm mbi mungesën e luftës, por mbi praninë e besimit të ndërsjellë. Një paqe, që nuk mbështetet vetëm në marrëveshje formale, por në edukim moral. Një paqe, që nuk mbështetet vetëm në heshtjen e tensioneve, por në shërimin e tyre përmes drejtësisë, respektit dhe urtësisë.