Prishtinë, më 19 mars 2025
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, ka marrë pjesë sonte në iftarin e shtruar nga Këshilli i Bashkësisë Islame i Malishevës, në të cilin edhe u bë inaugurimi i projektit të Xhamisë së Gurit, e cila pritet që të ndërtohet në qendër të qytetit të Malishevës.
Myftiu Tërnava në fjalën e tij para të pranishmëve, fillimisht falënderoi kryetarin e Malishevës, z. Ekrem Kastrati për bashkëpunimin e deritanishëm që kanë pasur me Këshillin e BI-së së Malishevës dhe më pas edhe administratën e këtij Këshilli për realizimin e këtij projekti, të cilin ai e quajti tejet madhështor.
Ai tha se mësimet kuranore dhe hadithet profetike na mësojnë se përkujdesës të xhamive janë besimtarët, të cilët e falin namazin dhe e japin zekatin. Myftiu Tërnava tha se që nga momenti kur të hapen themelet për ndërtimin e kësaj xhamie, për të gjithë ata besimtarë që kanë kontribuuar për këtë xhami, do të hapen themelet e ndërtimit të shtëpive të tyre në Xhenet, ngase kështu na ka mësuar edhe vetë Pejgamberi a.s.
Në këtë inaugurim i pranishëm qe edhe kryetari i Malishevës, z. Ekrem Kastrati, i cili përgëzoi Këshillin e BI-së së Malishevës për këtë projekt, duke potencuar se si institucion jemi shumë të gëzuar dhe e presim me padurim edhe përurimin dhe hapjen e kësaj xhamie sa më parë.
Kryetari i Këshillit të BI-së së Malishevës, Sead ef. Paqarizi, falënderoi të gjithë ata që në çfarëdo mënyre kanë kontribuuar që të realizohet ky projekt. Me një falënderim të veçantë falënderoi bizneset për përkrahjen e tyre të vazhdueshme dhënë për Këshillin e BI-së së Malishevës.
Me një fjalë rasti para të pranishmëve u paraqit edhe drejtori i Shoqatës “Jetimat e Ballkanit”, i cili përgëzoi dhe uroi gjithë besimtarët për këtë projekt. Ai tha se ne si Shoqatë, do të kontribuojmë me 100.000 euro për realizimin e këtij projekti.
Në fund, pas paraqitjes vizuale të projektit, u bënë të ditur edhe kontributet e disa bizneseve dhe individëve për këtë projekt.