Prishtinë, më 15 mars 2025
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, të shtunën, mori pjesë në iftarin e shtruar nga Këshilli i Bashkësisë Islame i Gjakovës, në të cilin morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve dhe partive politike, personalitete nga fusha të ndryshme, si dhe qytetarë dhe xhematlinj nga të gjitha xhamitë e Gjakovës.
Në emër të nikoqirit, kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame të Gjakovës, dr. Valon ef. Myrta i përshëndeti të pranishmit dhe, pasi i falënderoi për pjesëmarrjen në këtë iftar madhështor, foli shkurtimisht për vlerat morale dhe shpirtërore që ky muaj i begatë kultivon si në aspektin personal të individit ashtu edhe në atë shoqëror.
Me një fjalë rasti të pranishmëve i drejtua edhe Myftiu Tërnava i cili ndër të tjera tha: “Ne duhet të jemi gjithherë krenarë që i takojmë këtij atdheu dhe këtij kombi, sepse kjo ka qenë dhe është dëshirë dhe vullnet i të Madhit Zot, duke pasur parasysh se ne e kemi dinin e të Madhit Zot, i përkasim Islamit me shumicë, mirëpo respektojmë dhe nderojmë edhe besimet tjera të vëllezërve dhe motrave tanë duke e ruajtur në vazhdimësi kompaktësinë e vëllazërinë dhe bashkërisht duke quar përpara proceset për të cilat ka shumë nevojë vendi ynë dhe kombi ynë.”
Iftari përfundoi me një lutje të përbashkët nga të pranishmit.