Myftiu Tërnava mori pjesë në iftarin e shtruar nga Fakulteti i Studimeve Islame

Prishtinë, më 10 mars 2026

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, mori pjesë mbrëmë në iftarin e shtruar nga Fakulteti i Studimeve Islame në Prishtinë, në të cilin qenë të pranishëm drejtuesit e institucionit, ish-dekanët dhe ish-profesorët e këtij Fakulteti, stafi akademik, studentë dhe mysafirë të tjerë.

Mysafirëve mirëseardhje iu dëshiroi dekani i Fakultetit të Studimeve Islame, dr. Islam Hasani, i cili vlerësoi punën dhe angazhimin e profesorëve dhe studentëve të këtij Fakulteti.

Myftiu Tërnava, në fjalën e tij, përgëzoi drejtuesit e Fakultetit të Studimeve Islame për organizimin e këtij iftari dhe për rolin e rëndësishëm që ky institucion ka në edukimin fetar dhe akademik të brezave të rinj. Ai theksoi se Fakulteti i Studimeve Islame ka një kontribut të çmuar në formimin e kuadrove të dijes islame, të cilët më pas shërbejnë në institucione të ndryshme fetare e arsimore në vend dhe më gjerë.

Myftiu Tërnava gjithashtu vlerësoi lart përkushtimin e profesorëve dhe studentëve në ruajtjen dhe kultivimin e vlerave islame, duke theksuar se muaji Ramazan është një mundësi e veçantë për forcimin e solidaritetit, bashkëpunimit dhe afrimit ndërmjet njerëzve.