Myftiu Tërnava mbajti sot hytben e xhumasë në xhaminë e fshatit Hogosht të Kamenicës

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, mbajti sot hytben e xhumasë në xhaminë e fshatit Hogosht të Kamenicës.

Ai para xhematit të Hogoshtit ligjëroi rreth figurës së myderrizit Haki ef. Sermaxha.

“Sot jam këtu me një ndjenjë të veçantë nderimi dhe përkushtimi. Kam vendosur që këtë ditë ta kaloj me ju – në vendlindjen e një figure të shquar të dijes, fesë dhe atdhedashurisë, në vendlindjen e Haki efendi Sermaxhës.

Ky personalitet i dijes dhe i karakterit nuk ishte thjesht një imam apo mësues i zakonshëm. Ai ishte një myderriz i ndritur, një arsimdashës i paepur dhe një atdhetar i rrallë, që tërë jetën ia kushtoi këtij vendi, këtij populli, gjuhës shqipe, besimit islam dhe identitetit tonë kombëtar” – tha ndër të tjera Myftiu Tërnava.