Myftiu i Kosovës viziton Panairin e Librit në Prishtinë

Myftiu i Republikës së Kosovës, Naim ef. Tërnava, vizitoi sot Panairin e Librit në Prishtinë.

Gjatë vizitës, Myftiu ndaloi në stendën e shtëpisë botuese Dituria Islame, ku u prezantuan botimet më të fundit me karakter fetar, kulturor dhe edukativ.

Më pas, Myftiu vizitoi edhe stendat e tjera të botuesve pjesëmarrës, duke zhvilluar biseda të frytshme me botues dhe autorë lidhur me rolin e librit në jetën shoqërore dhe fetare, sfidat që përballon sot botimi i librit, si dhe rëndësinë e prezantimit dinjitoz të trashëgimisë sonë kulturore dhe shpirtërore përmes fjalës së shkruar.

Kjo vizitë shpreh përkushtimin e institucionit të Bashkësisë Islame të Kosovës për të mbështetur dijen, arsimin dhe përhapjen e vlerave të qëndrueshme përmes librit.

Myftiu u shoqërua nga drejtori për Kulturë dhe Veprimtari Botuese, Ramadan Shkodra dhe profesori Elez Osmani.