Me një ceremoni përmbyllëse, përfunduan Garat Ndërkombëtare të Kuranit

Sot, në Prishtinë, me një ceremoni përmbyllëse, përfunduan Garat Ndërkombëtare të Kuranit. Kjo ceremoni u përmbyll me ndarjen e çmimeve për të gjitha kategoritë pjesëmarrëse.

Në këtë ngjarje, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, shprehu mirënjohjen e thellë për bashkëpunimin me Ministrinë për Çështje Fetare të Arabisë Saudite, duke e vlerësuar lart çdo aspekt të organizimit të kësaj ngjarjeje.

“Kosova, vend i plagëve, por edhe i krenarisë, ka pasur nderin të jetë nikoqire e një ngjarjeje me përmasa ndërkombëtare, që nuk i flet vetëm mendjes, por që troket thellë në zemrën e çdo besimtari. Jemi thellësisht mirënjohës për bashkëpunimin e vyer mes Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Ministrisë për Çështje Fetare të Arabisë Saudite, të cilat përmes këtij organizimi madhështor kanë rikonfirmuar se vëllazëria në besim nuk njeh kufij, se drita e Kuranit ndriçon nga Meka deri në Prishtinë, nga Qabeja deri në çdo zemër që rreh me iman në atdheun tonë të lirë.”

Ai gjithashtu vlerësoi vizitën e imamit të Qabesë në Kosovë, si dhe pjesëmarrjen e tij në këto gara, si një nder historik për vendin. Myftiu uroi që bashkëpunime të tilla në nivel ndërkombëtar të realizohen edhe në të ardhmen.

“Vizita e shejh Bandar Beleela, imam i Qabesë, ishte një nder historik për vendin tonë. Prania e tij në mesin tonë ishte dëshmi se edhe Kosova, ky vend i vogël me zemër të madhe, është pjesë e pandarë e umetit islam, pjesë e historisë që sot po shkruhet me pendën e paqes dhe ngjyrën e devotshmërisë. Sot, teksa ndajmë çmimet, nuk po shpërblejmë vetëm talentin, por po nderojmë përkushtimin, mundin dhe dashurinë për Librin e shenjtë. Çdo garues, pavarësisht vendit që zuri, është fitues, sepse ka zgjedhur të mbjellë në zemrën e tij fjalët që nuk vyshken, ato që udhëzojnë, ngushëllojnë dhe fuqizojnë” – tha ndër të tjera Myftiu Tërnava.

Këtë ceremoni solemne e nderoi me pjesëmarrjen e tij edhe imami i Qabesë, shejh Bandar Beleela, i cili iu drejtua të pranishmëve me një fjalim të fuqishëm:

“Kurani është fjala e Zotit. Nga Ai erdhi dhe tek Ai do të kthehet. Kurani i bashkoi njerëzit, edhe pse nuk flasin të njëjtën gjuhë. Në çdo mosmarrëveshje, myslimanët kthehen tek ai dhe gjejnë zgjidhje në të.”

Ndërkohë, ambasadori i Mbretërisë së Arabisë Saudite në Tiranë, z. Feisal Hefzi, tha se bashkimi i të gjithë këtyre garuesve në një vend dëshmon një pamje të ndritshme të umetit rreth Librit të Zotit. Ai gjithashtu vlerësoi lart përkushtimin e Mbretërisë së Arabisë Saudite në mbështetjen e këtyre iniciativave, si dhe Bashkësinë Islame të Kosovës për partneritetin e frytshëm me këtë shtet.

“Pjesëmarrja e këtij grupi të bekuar elitar të hafëzëve të shquar nga vende të ndryshme përfaqëson një pamje të ndritshme të unitetit të umetit rreth Librit të Zotit dhe pasqyron rolin thelbësor të Kuranit të Shenjtë në ndërtimin e urave të komunikimit dhe mirëkuptimit ndërmjet popujve. Dëshiroj të shpreh krenarinë time për rolin e dalluar që luan Mbretëria e Arabisë Saudite, përmes Ministrisë së Çështjeve Islame, Thirrjes dhe Udhëzimit, në mbështetjen e iniciativave të tilla kuranore, duke theksuar përkushtimin e saj të vazhdueshëm për t’i shërbyer Islamit dhe myslimanëve, si dhe për të forcuar marrëdhëniet e bashkëpunimit me vendet mike e motra në mbrojtje të vlerave të përbashkëta. Njëkohësisht, përgëzoj përzemërsisht Bashkësinë Islame të Kosovës për përpjekjet e saj të mëdha dhe për partneritetin e frytshëm me Ministrinë e Çështjeve Islame të Mbretërisë.”

Në fund të ceremonisë u ndanë çmimet për tri vendet e para në pesë kategoritë pjesëmarrëse, për të dy gjinitë.

Ngjarja u përmbyll me një recitim të mahnitshëm të ajeteve të Kuranit nga imami i Qabesë, shejh Bandar Beleela.