Prishtinë, më 27 maj 2025
Në ambientet e Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë, u mbajt Tryeza Shkencore kushtuar personalitetit të shquar shqiptar, Ali ef. Jakupi. Tryeza u organizua nga Drejtoria për Kulturë dhe Veprimtari Botuese pranë Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, dhe për qëllim kishte ndriçimin e jetës dhe veprës së Ali ef. Jakupit, i cili la gjurmë të pashlyera në historinë fetare dhe kulturore shqiptare.
Drejtori për Kulturë dhe Veprimtari Botuese, Ramadan Shkodra, theksoi se kjo Tryezë vjen si një përpjekje për të vlerësuar kontributin e dijetarëve që shërbyen me përkushtim në kohë të vështira.
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, e vlerësoi Ali ef. Jakupin si një dijetar të madh të shekullit të kaluar, i çmuar dhe i vlerësuar nga e gjithë bota, por i harruar nga vendi i tij.
Roli dhe kontributi i Ali ef. Jakupit u vlerësua lart edhe nga ish-kryediplomati i Kosovës, z. Enver Hoxhaj, i cili gjatë fjalës së tij dha shembuj interesant kur diplomacia e huaj mburrej me veprën e Ali ef. Jakupit.
Atashehu për Çështje Fetare pranë Ambasadës së Turqisë në Kosovë, z. Bunjamin Albajrak, kujtoi punën e jashtëzakonshme të Ali Jakupit si profesor i gjuhës arabe, ku shumë imamë, profesorë të sotëm në Turqi, madje edhe vetë kryetari i Dijanetit të Turqisë ishin nxënës të Ali ef. Jakupit.
Sabri Bajgora, Hysen Matoshi, Sadik Mehmeti, Ferid Piku, Elez Osmani, Besir Neziri, Valon Shkodra, janë studiuesit e tjerë të cilët përmes kumtesave të tyre prezantuan jetën, veprën dhe kontributin e Ali ef. Jakupit.
Ali ef. Jakupi nga Desivojca e Kamenicës, u shkollua në Medresetë e Gjilanit dhe Shkupit për të vijuar më pas studimet e larta në Universitetin e “Al Az’harit” në Kajro. Një pjesë të jetës së tij e kaloi në Egjipt, ndërsa pjesën tjetër në Turqi. E gjitha jeta e tij ishte një shembull i mirë i një besimtari, dijetari, alimi dhe profesori të përkushtuar ndaj dijes.