Prishtinë, më 3 shtator 2025
Me ftesë të presidentit të Republikës së Turqisë, z. Recep Tayip Erdogan, kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti, mori pjesë në manifestimin qendror kushtuar ditëlindjes së Muhamedit a.s., i cili u mbajt në Kompleksin e Pallatit Presidencial në Ankara.
Ky manifestim u mbajt nën patronatin e presidentit të Republikës së Turqisë, z. Rexhep Taip Erdogan, i cili në fjalën e tij vlerësoi jetën, veprën dhe misionin e Muhamedit a.s., duke e përshkruar atë si një kandil të pashuar që vazhdon të ndriçojë botën me shëmbëlltyrën dhe mësimet e tij. Presidenti Erdogan, në këtë natë të bekuar, foli edhe për tragjedinë në Gaza, duke apeluar që kjo luftë e padrejtë ndaj civilëve të pafajshëm të përfundojë sa më shpejt, dhe u lut që paqja të mbretërojë jo vetëm në Gaza, por në tërë botën.
Në fjalën e tij, kryetari i Dijanetit, dr. Ali Erbash, theksoi rëndësinë historike dhe shpirtërore të 12 Rebiul Evelit, ditës së lindjes së Muhamedit a.s., si dhe mesazhet universale që burojnë nga personaliteti dhe misioni i tij profetik. Ai po ashtu theksoi se me rastin e 1500-vjetorit të lindjes së Muhamedit a.s. sipas kalendarit hënor, ky vit është shpallur viti që do t’i kushtohet ndriçimit të jetës dhe shëmbëlltyrës së Muhamedit për familjen.
Në këtë manifestim morën pjesë krerët e bashkësive islame nga mbarë Ballkani dhe nga shumë se dyzet vende të tjera të botës, si dhe personalitete të larta shtetërore dhe fetare. Gjatë aktivitetit u interpretuan edhe kaside, ilahi dhe salavate kushtuar Muhamedit a.s. nga orkestra presidenciale.
Aktivitetet do të vazhdojnë në Konja, ku do të mbahet një Konferencë ndërkombëtare kushtuar jetës dhe porosive të Muhamedit a.s. për familjen.