Nga 31 tetor deri më 2 nëntor 2025, në qytetin e Edirnes në Turqi, u mbajtën punimet e Konferencës Islame me temë “Nën nënqiellin e kupolës sonë”, organizuar nga Fondacioni “İslam Âlimleri Vakfı”, nën patronazhin e Guvernatorit të Edirnes.
Në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës në këtë Konferencë mori pjesë kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti, i cili në seancën e parë të Konferencës, të udhëhequr nga prof. dr. Nasrullah Hacımüftüoğlu, prezantoi kumtesën me temë “Roli i institucioneve fetare në ndërtimin e kohezionit social në vendet ballkanike”.
Në këtë Konferencë morën pjesë edhe përfaqësues nga bashkësitë islame të dhjetë shteteve të Ballkanit, si dhe intelektualë dhe profesorë të njohur të shkencave islame nga Turqia dhe bota arabe.
Punimet e Konferencës, të ndara në gjithsej katër seanca, trajtuan tema me interes të veçantë mbi sfidat me të cilat përballen shoqëritë islame në vendet e Ballkanit, si dhe nevojën e bashkëpunimit dhe koordinimit me bashkësitë simotra për të tejkaluar sfidat dhe rreziqet që kërcënojnë virtytet morale dhe vlerat familjare islame.
Në hapje të konferencës morën pjesë ish-kryetari i Dijanetit të Turqisë Ali Erbash, zëvendëskryetari Osman Şahin, guvernatori i Edirnes, rektori i Universitetit të Trakisë në Edirne, si dhe shumë personalitete të njohura të botës akademike e publike të Turqisë.
Në seancën e tretë, që kishte për temë familjen dhe sfidat e saj në vendet e Ballkanit, kryeimami Sahiti, shpalosi para të pranishmëve rëndësinë dhe rolin historik të familjes shqiptare në ruajtjen e identitetit, si dhe në kultivimin e vlerave kombëtare dhe fetare të shoqërisë shqiptare. Ndër të tjera, ai theksoi sfidën e migrimit si një nga problemet më serioze me të cilat përballet familja shqiptare në kohët moderne, e cila në masë të madhe ka ndikuar në strukturën dhe stabilitetin e saj.
Kjo Konferencë është e dyta me radhë që organizohet në Edirne nga Fondacioni i Dijetarëve Myslimanë, nën patronazhin e Guvernatorit të Edirnes.



