Nën organizimin e Institutit për Hulumtime dhe Studime Islame, që funksionon në kuadër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, ka filluar sot punimet Konferenca Shkencore Ndërkombëtare “Vakëfi te shqiptarët, histori – trashëgimi – perspektivë”.
Kjo Konferencë dy ditore, do të mbledhë rreth vetes më shumë se 50 studiues nga të gjitha trojet shqiptare dhe rajoni, si dhe përfaqësues të lartë institucionalë nga Turqia, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe Katari dhe Kuvajti, të cilët do të diskutojnë rolin e vakëfit në shoqërinë shqiptarët.
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, tha se vakëfi ka qenë një prej mekanizmave më të rëndësishëm të zhvillimit shoqëror dhe kulturor te shqiptarët.
Ai vlerësoi se falë vakëfit janë ndërtuar xhami, shkolla, ura, biblioteka dhe institucione të shumta që kanë shërbyer brez pas brezi.
“Të flasësh për vakëfin nuk është thjesht të përshkruash një institucion juridik; do të thotë të flasësh për një traditë të gjatë dhe të thellë të popullit tonë, për një amanet të çmuar që na kanë lënë paraardhësit tanë – njerëz të mirë, bujarë dhe fisnikë – të cilët kanë synuar jo vetëm t’i ruajnë pasuritë materiale, por edhe të krijojnë një ndikim të qëndrueshëm shoqëror dhe shpirtëror. Madje, ky amanet nuk është vetëm një trashëgimi e së kaluarës, por vazhdon të jetojë dhe të frymëzojë edhe në ditët e sotme përmes veprave të reja të lëna vakëf”.
Drejtori i Institutit për Hulumtime dhe Studime Islame, Sabri ef. Bajgora, vlerësoi se vakëfi ka qenë një nga shtyllat kryesore të zhvillimit shoqëror ndër shqiptarë dhe ka luajtur rol vendimtar në formësimin e identitetit kolektiv.
“Arsyeja pse e kemi zgjedhur pikërisht këtë temë të kësaj Konference, është fakti se Vakëfi, si institucion i lashtë i bamirësisë, ka qenë ndër shtyllat më të qëndrueshme të qytetërimit islam dhe një ndër mekanizmat më të rëndësishëm për zhvillimin e kulturës, arsimit dhe jetës publike edhe në trojet shqiptare. Historia jonë, nëse lexohet me kujdes, tregon qartë se shumë prej institucioneve që kanë formësuar identitetin tonë kolektiv – xhamia, shkolla, biblioteka, ura, çezma, medrese, hanet e deri te konakët e kulturës – janë ngritur mbi themelet e vlerave që përfaqëson vakëfi dhe janë mbajtur gjallë përmes shpirtit të bamirësisë dhe sakrificës”.
Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Vakëfeve të Turqisë, Hayrullah Çelebi, në fjalën e tij theksoi bashkëpunimin me Bashkësinë Islame të Kosovën për përkujdesën e vakëfeve në Kosovë dhe jo vetëm. Ai tha se vakëfi nuk duhet parë vetëm si një aset i kaluarës, por si një amanet i gjallë, që kërkon kujdes të vazhdueshëm.
“Ne, si Drejtori e Përgjithshme e Vakëfeve, e kemi marrë përsipër detyrën për ta mbrojtur pasurinë kulturore të vakëfeve të traditës turko-islame, për të rindërtuar në formën e tyre autentike ato që janë zhdukur, për të zbatuar kushtet e bamirësisë së vakëfeve dhe, mbi të gjitha, për ta transmetuar këtë trashëgimi te brezat e ardhshëm. Për ne, kjo trashëgimi kulturore nuk është thjesht një sërë strukturash historike të mbetura nga e kaluara; ajo është një amanet shpirtëror i dedikuar shoqërisë dhe një pjesë e gjallë e kujtesës sonë kolektive”.
Drejtori Ekzekutiv i Ministrisë së Çështjeve Islame, Vakëfeve dhe Zekatit nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Muhamed al Bolushi vlerësoi Konferencën si një mundësi të rëndësishme për të diskutuar sfidat dhe perspektivat bashkëkohore të institucionit të vakëfit.
“Kjo Konferencë përbën një platformë të rëndësishme për shkëmbimin e vizioneve-pikëpamjeve rreth së ardhmes së vakëfit dhe mënyrës së shfrytëzimit të potencialit të revolucionit digjital dhe inteligjencës artificiale për forcimin e rolit zhvillimor dhe identitar të këtij institucioni historik”.
Zv.guvernatori i Autoritetit Gjeneral (të Përgjithshëm) të Vakëfeve të Saudisë, dr. Fehd el Maxhid, tha se: “Ne në Mbretërinë e Arabisë Saudite kemi qenë përkrahës të Kosovës, që nga koha e luftës dhe sigurisht se jemi edhe tash të gatshëm për të ofruar ndihmën tonë. Në fushën e vakëfeve, po vërejmë një përmirësim të dukshëm dhe edhe ne kemi të njëjtën çështje dhe punojmë në shumë sfera që të bëjmë zhvillimin e vakëfeve dhe për të përmirësuar vetëdijesimi për rëndësinë e tyre.”
Konferenca shkencore u hap sot dhe do të vazhdojë edhe përgjatë ditës së martë. Gjatë dy ditëve të ngjarjes, nga perspektiva dhe këndvështrime të ndryshme do të vlerësohet ndikimi i vakëfit te shqiptarët, duke u fokusuar tek roli i tij në zhvillimin kulturor, edukativ dhe shoqëror.