Imami i Qabesë, shejh dr. Bandar Beleela përfundoi vizitën në Kosovë

Prishtinë, më 11 maj 2025

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka përcjellë sot në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” imamin e Qabesë, shejh dr. Bandar Baleela, i cili për disa ditë qëndroi për vizitë zyrtare në Kosovë.

Në përshëndetjen e tij, imami i Qabesë falënderoi Myftiun Tërnava për mikpritjen, duke i dhuruar edhe mantelin (xhyben) tradicional arab.

Me këtë rast, Myftiu Tërnava, e falënderoi edhe njëherë Imamin Baleela për vizitën e tij të veçantë, duke vlerësuar kontributin dhe praninë e tij në Garat Ndërkombëtare të Kuranit, ku morën pjesë 150 garues nga 22 vende të ndryshme të botës.

Gjatë qëndrimit në Kosovë që nisi të enjten në mbrëmje, shejh dr. Baleela qe i pranishëm në Garat Ndërkombëtare të Kuranit, mbajti hytben dhe udhëhoqi faljen e namazit të xhumasë në Xhaminë e Madhe të Prishtinës. Ai gjithashtu vizitoi disa xhami në kryeqytet, përfshirë ato në lagjet Mati 1, Veternik, xhaminë “Pavarësia” dhe atë në Hajvali.

Ndërkohë, gjatë kësaj vizite, imami i Qabesë pati mundësinë të vizitojë nga afër edhe ekspozitën “Urat”, e organizuar nga Bashkësia Islame e Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Çështjeve Fetare të Arabisë Saudite.