Fshati Torinë bëhet me xhami të re

Prishtinë, më 29 qershor 2025

Në fshatin Torinë të Lipjanit, me pjesëmarrjen e kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiut Naim ef. Tërnava, me bashkëpunëtorë, kryetarit të Lipjanit, z. Imri Ahmetit, udhëheqësve të Këshillit të BI-së së Lipjanit, donatorëve të ndërtimit të kësaj xhamie, si dhe besimtarëve të shumtë, në mënyrë solemne u bë përurimi i xhamisë së re. Ceremonia filloi me leximin e disa pjesëve nga Kurani fisnik.

Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, Myftiu Tërnava, uroi dhe përgëzoi banorët për hapjen e kësaj xhamie, duke shprehur kështu përkushtimin e tij dhe të institucionit të Bashkësisë Islame të Kosovës për të qenë në vazhdimësi prej kërkesave të besimtarëve. Ai me këtë rast falënderoi kryetarin e Lipjanit për bashkëpunimin dhe për ndihmesën që ka dhënë në ndërtimin e kësaj xhamie, ndërsa me një falënderim të veçantë, falënderoi donatorët nga Londra, duke lutur Zotin që t’i shpërblejë me të mira e Tij në këtë dhe botën tjetër.

Kryetari i Lipjanit, z. Imri Ahmeti, në fjalën e tij, falënderoi përzemërsisht institucionin e Bashkësisë Islame të Kosovës për punën dhe kontributin e tyre, duke thënë se Torina do të jetë gjithmonë mirënjohëse ndaj tyre dhe donatorëve që mundësuan ndërtimin e kësaj xhamie.

Ndërkaq, kryetari i Këshillit të BI-së së Lipjanit, Zaim ef. Baftiu, tha se kjo xhami është e 35-ta me radhë në Lipjan, teksa njoftoi besimtarët se së shpejti do të inaugurohet edhe xhamia e re në qendër të qytetit.