Filloi shpërndarja e pakove nga DIJANET-i i Turqisë

Prishtinë, më 12 mars 2026

Në fundin e muajit Ramazan, kur solidariteti dhe ndihma për njëri-tjetrin marrin kuptim edhe më të veçantë, Shoqata Humanitare Bamirëse “Bereqeti”, në bashkëpunim me DIJANET-in e Turqisë, ka nisur shpërndarjen e 1200 pakove ushqimore për familjet në nevojë në Kosovë.

Vetëm gjatë ditës së sotme, në Prishtinë janë shpërndarë 200 pako ushqimore për jetimët, rastet sociale dhe kategoritë e ndryshme të shoqërisë, të cilat kanë nevojë për mbështetje.

Ambasadori i Turqisë në Kosovë, z. Tunc Angılı, theksoi gatishmërinë e qeverisë dhe popullit turk për të qëndruar në ndihmë të popullit të Kosovës edhe në këto ditë të bekuara të Ramazanit. Ai tha se vlerat e solidaritetit dhe bujarisë janë virtyte të këtij muaji dhe njëkohësisht karakteristikë e dy vendeve tona mike.

Nga ana tjetër, kryeimami  i Kovës, Vedat ef. Sahiti, ka falënderuar qeverinë dhe popullin turk për përkrahjen e vazhdueshme.

Adeline Sahitit nga Komuna e Prishtinës vlerësoi lart përkrahjen e Turqisë ndaj Kosovës, jo vetëm në këtë muaj, por në vazhdimësi.

Shpërndarja e pakove ushqimore do të vazhdojë edhe në ditët në vijim në qytete të ndryshme të Kosovës, duke sjellë ndihmë konkrete për familjet që kanë më shumë nevojë gjatë këtyre ditëve të Ramazanit. Po ashtu, gjatë këtij muaji, DIJANET-i i Turqisë po vazhdon edhe shtrimin e mbi njëmijepesëqind iftareve për besimtarët.