Prishtinë, më 3 tetor 2025
Në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë, sot, filloi punimet Konferenca Ndërkombëtare me temën “Roli dhe kontributi i dijetarëve myslimanë në Evropë”, e cila u organizua nga Fakulteti i Studimeve Islame në bashkëpunim me Qendrën për Studime të Avancuara në Sarajevë.
Kjo Konferencë rreth vetes ka mbledhur zëra të ndryshëm, akademikë, profesorë dhe studiues të ndryshëm, me qëllimin e vetëm që të vënë në pah rolin e dijetarëve myslimanë në formësimin e të kaluarës, të tashmes dhe të ardhmes në Evropë.
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, duke uruar mirëseardhje në këtë Konferencë, theksoi rëndësinë që Islami i kushton dijes, duke potencuar kështu edhe atë se dijetarët kanë qenë vendimtarë në interpretimin e saktë të Kuranit dhe haditheve dhe shkencave të tjera.
Dekani i Fakultetit të Studimeve Islame, dr. Islam Hasani, vlerësoi se kontributet e dijetarëve myslimanë në shkencë kanë qenë me ndikim të veçantë, e të cilët patën rëndësi edhe në zhvillimin e shkencave shoqërore, e që disa prej tyre veç janë harruar.
“Më lejoni që në këtë fjalë timen përshëndetëse të konstatoj edhe faktin se kontributet e dijetarëve-shkencëtarëve myslimanë në shkencë kanë qenë shumë të rëndësishme për evoluimin dhe transformimin e shoqërisë njerëzore dhe ndikimin e madh që ata patën në zhvillimin e shkencës moderne. Emrat e shkencëtarëve myslimanë në shumë fusha, edhe sot shërbejnë si yje, por të cilët disi i ka “eklipsuar” harresa, neglizhenca, sidomos e myslimanëve në dy shekujt e fundit. Prandaj ndriçimi dhe përkujtimi i figurave kolosale të shkencës dhe filozofisë, në epokën e artë islame pa harruar edhe këta periudhës bashkëkohore ka vlera të shumëfishta, si kulturore, shkencore, edukative dhe shpirtërore.”
Drejtori i Qendër për Studime të Avancuara në Sarajevë, Ahmet Alibashiq, vuri në theks problemet me të cilat ballafaqohet Evropa dhe shembujt e mirë që mund të nxirren, duke përmendur Kosovën si tregim suksesi për menaxhimin e aspektit fetar dhe nacional.
“Kushdo që ka ndjekur zhvillimet në Ballkan gjatë tre dekadave të fundit nuk mund të mos vërejë rritjen e qëndrueshme të dijes islame dhe jetës intelektuale te shqiptarët. Akoma mbetet për t’u bërë, por ajo që është arritur deri tani na jep besim se dijetarët islamë shqiptarë dhe intelektualët myslimanë do të rikthejnë përsëri pozitën që dikur kishin në skenën islame rajonale dhe, eventualisht, botërore. Vetëm për t’u ndalur shkurtimisht te fjala e Myftiut Tërnava, se shoh një shembull të mirë në mënyrën se si në Kosovë menaxhohet pluralizmin fetar dhe nacionalizmin. Kjo mund të jetë, ndoshta, një çështje madhore, një enigmë e madhe që shumë kombe evropiane nuk po arrijnë ta zgjidhin.”
Sesionet e kësaj Konference do të udhëtojnë nga ato historike deri tek ato moderne, nga kontributet e hershme të dijetarëve myslimanë deri te debatet e mëvonshme. Konferenca do të vazhdojë punimet edhe nesër.