Nën patronazhin e Madhërisë së Tij, mbretit Hamad bin Isa al Kalifa, dhe në praninë e Shkëlqesisë së Tij, Imamit të Madh të “Al Azharit”, dr. Ahmed al Tayeb, Shejhut të “Al Azharit”, Al Sherif dhe kryetarit të Këshillit të Urtëve Myslimanë, si dhe me pjesëmarrjen e më shumë se 400 delegatëve, dijetarëve të botës islame, liderëve fetarë, myftinjve, ministrave dhe intelektualëve, në kryeqytetin e Bahrejnit, Manama, filloi punimet Konferenca e Dialogut Islamo-Islamik, që do të zgjasë dy ditë, pra më 19-20 shkurt. Kjo Konferencë filloi punimet nën sloganin “Një umet, fat i përbashkët”.
Në emër të Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnavës, në këtë Konferencë po merr pjesë shefi i kabinetit, mr. Besim ef. Mehmeti.
Në hapje të Konferencës, fillimisht të pranishmit i përshëndeti kryetari i Këshillit Suprem për Çështjet Islame në Bahrejn, shejhu Abdulrahman bin Muhamed al Kalifa. Ai, në emër të Mbretit të Bahrejnit, Hamad bin Isa al Khalifa, u dëshiroi mirëseardhje të pranishmëve në Bahrejn, duke iu uruar punime të suksesshme dhe produktive. Më pas folën ambasadori Husein Ibrahim Taha, sekretar i Përgjithshëm i Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, kryeministri i Malajzisë, dr. Anvar Ibrahim, dr. Mulin Ashinbajev, kryetar i Kuvendit të Kazakistanit, Ajetullah Ahmed Almubellegi nga Irani, dr. Ahmed es Sejabi, sekretar i Zyrës së Myftiut të Omanit, Jahja Dejlemi, imami i Xhamisë Qendrore në Sanaa të Jemenit, dhe Shkëlqesia e tij, Imami i Madh, dr. Ahmed al Tayeb, Shejhu i Al Azharit.
Në fjalën e tij, Shejhu i Al Azharit, bëri thirrje për zhvillimin e një plani serioz dhe të zbatueshëm për të vendosur unitetin, mirëkuptimin dhe njohjen e ndërsjellë midis të gjitha shkollave të mendimit islam. Po ashtu, theksoi rëndësinë e një dialogu të përhershëm, në të cilin shkaqet e ndarjes, grindjeve dhe konflikteve etnike e sektariste, në veçanti, do të refuzohen, dhe në të cilin do të përqendrohen pikat e marrëveshjes dhe konvergjencës.