Filloi cikli i tretë i trajnimit fetaro-shkencor për imamë, hatibë dhe myezinë

Prishtinë, më 27 tetor 2025

Sot në Gjakovë filloi cikli i tretë i trajnimit fetar-shkencor për imamë, hatibë dhe myezinë të qytetit të Gjakovës, Pejës dhe Prizrenit. Ky trajnim po zhvillohet në kuadër të bashkëpunimit të Bashkësisë Islame të Kosovës me Ministrinë për Çështje Islame të Mbretërisë së Arabisë Saudite.

Në hapjen e këtij sesioni, kryeimami i Kosovës, Vedat ef. Sahiti, vlerësoi se trajnime të tilla janë të rëndësishme për ngritjen dhe përgatitjen profesionale dhe shpirtërore të imamëve, duke ndihmuar në forcimin e rolit të tyre edukativ dhe shoqëror.

Ndërsa përfaqësuesi i Ambasadës Saudite në Tiranë, z. Xhuluvi el Hexhleh, theksoi se organizimi i trajnimeve të tilla është dëshmi e marrëdhënieve të mira dhe të qëndrueshme ndërmjet institucioneve fetare të dy vendeve, duke shtuar se ato ndihmojnë në thellimin e mirëkuptimit ndërmjet imamëve dhe komunitetit.

Ligjërues në këtë cikël trajnimesh është këshilltari në Ministrinë për Çështje Islame të Arabisë Saudite, dr. Abdulmexhid bin Muhamed el Asakir, i cili në ditën e parë trajtoi tema mbi çështjet e besimit islam dhe forcimin e tij.

Në hapje të këtij trajnimi prezent ishte edhe përfaqësuesi i Zyrës së Atasheut për Çështje Fetare pranë Ambasadës Saudite në Sarajevë, z. Muhamed el Avad.

Trajnimi do të vazhdojë edhe nesër me tema që lidhen me sfidat e kohës dhe mënyrat e përçimit të mesazhit islam në shoqërinë moderne.