Prishtinë, më 3 mars 2026
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, priti sot në takim ministrin e Zhvillimit Rajonal dhe të Investimeve dhe Bashkëpunimit me OJQ-të në Qeverinë e Malit të Zi, Ernad Suljević, i cili shoqërohej nga ambasadori Bernard Qoqaj dhe delegacioni përcjellës.
Gjatë këtij takimi, Myftiu Tërnava e njohu ministrin Suljević me historikun e Bashkësisë Islame të Kosovës, duke theksuar rrugëtimin institucional ndër vite, sfidat dhe kontributin e saj në ruajtjen e identitetit fetar e kombëtar. Ai veçoi angazhimet e BIK-ut në fushën e arsimit fetar, aktivitetet humanitare, botimet, ndërtimin dhe restaurimin e objekteve fetare, si dhe rolin e saj në promovimin e paqes, dialogut dhe bashkëjetesës ndërfetare.
Myftiu theksoi se Bashkësia Islame e Kosovës ka qenë dhe mbetet e përkushtuar në shërbim të besimtarëve dhe të gjithë qytetarëve, duke kontribuar në forcimin e stabilitetit dhe mirëqenies shoqërore.
Nga ana e tij, ministri Suljević vlerësoi lart rolin dhe kontributin e Bashkësisë Islame në jetën shoqërore, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim në projekte me interes të përbashkët.




