Prishtinë, më 22 prill 2025
Drejtori i Drejtorisë së Diasporës në Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, Ekrem ef. Simnica, ka pritur në takim imamin e xhamisë “Besimtari” në Basel të Zvicrës, Bunjamin ef. Azizin.
Gjatë këtij takimi, u diskutuan çështje me rëndësi për komunitetin shqiptar në diasporë, përfshirë ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare, forcimin e identitetit kombëtar e fetar, si dhe përkrahjen e iniciativave që synojnë edukimin dhe mirëqenien e gjeneratave të reja.
Drejtori Simnica shprehu mirënjohjen e tij për kontributin e vazhdueshëm të imam Azizit dhe për rolin e xhamisë “Besimtari” si një pikë referimi për komunitetin shqiptar në Basel dhe më gjerë. Ai theksoi nevojën për bashkërendim të përpjekjeve në promovimin e vlerave fetare, kulturore dhe arsimore.
Nga ana e tij, imam Bunjamin ef. Azizi falënderoi drejtorin Simnica për pritjen, si dhe për gatishmërinë dhe angazhimin e tij në forcimin e lidhjeve me diasporën, duke shprehur gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit në projekte të përbashkëta që i shërbejnë komunitetit.
Në fund të takimit, drejtori Simnica ndau një fletë falënderimi për imamin Azizi, me rastin e dorëzimit të mjeteve financiare në kuadër të sadakatul fitrit, të cilat janë mbledhur nga besimtarët tanë në diasporë.