Departamenti i Gruas mbajti takimin përmbyllës me mualime

Prishtinë, më 29 dhjetor 2025

Departamenti i Gruas i Bashkësisë Islame të Kosovës, ka mbajtur sot takimin përmbyllës me mualime, në të cilin u diskutua dhe u vlerësua puna njëvjeçare e mualimeve të këtij Departamenti.

Fillimisht, një fjalë përshëndetëse para të pranishmeve e mbajti udhëheqësja e Departamentit, znj. Vaxhide Bunjaku – Podvocira, e cila falënderoi të gjitha mualimet për angazhimin dhe kontributin e tyre që janë duke dhënë në mbarëvajtjen e procesit mësimor me fëmijët dhe me gratë nëpër xhamitë anekënd Kosovës.

Ajo më pas paraqiti edhe një raport të punës përgjatë një viti, nga ku edhe tregoi për aktivitete e zhvilluara përgjatë vitit, e me këtë rast edhe përgëzoi mualimet për angazhimin dhe suksesin e treguar.

Në këtë takim, i pranishëm qe edhe kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, i cili përgëzoi mualimet e Departamentit për punën e tyre, duke thënë se mbajtja e ligjëratave fetare si dhe angazhimi i vazhdueshëm në mësimin e leximit të Kuranit, përbëjnë vetëm një dritare të vogël, por domethënëse nga veprimtaria e gjerë dhe kontributi i çmuar i Departamentit të Gruas.

Myftiu Tërnava, më pas tha se, ndjehet thellësisht i prekur dhe i gëzuar kur sheh nga afër angazhimin serioz të mualimeve. Ai tha se: “Ky përkushtim i sinqertë në përmbushjen e amanetit hyjnor përbën një shembull të lartë të shërbimit fetar dhe një dëshmi e qartë se fjala e Zotit nuk është lënë pas dore, por është përcjellë me kujdes, urtësi dhe dashuri te mesa e gjerë e popullit.”

Gjatë fjalimit të tij, Myftiu Tërnava, kërkoi nga mualimet që të reflektojnë mbi përgjegjësinë e madhe që kanë, duke kujtuar kështu mësimet e të Dërguarit të Zotit. Ai tha se: “Pengesat që iu vunë përpara të Dërguarit a.s. ishin të mëdha dhe të dhimbshme. Ai u fye, u maltretua, u la pa ushqim, u godit me gurë, shokët e tij u rrahën, u vranë, u përndoqën dhe u dëbuan nga vatrat e tyre. Megjithatë ai nuk u dorëzua, e me besimin e palëkundur dhe me durimin profetik e çoi misionin deri në fund.”

Në fund, Myftiu Tërnava, edhe njëherë rikonfirmoi përkrahjen e tij dhe të institucionit të Bashkësisë Islame për aktivitetet dhe punën e mbarë të mualimeve.