Departamenti i Gruas i BIK-ut shënoi 20-vjetorin e themelimit

Prishtinë, më 25 nëntor 2025

Departamenti i Gruas i Bashkësisë Islame të Kosovës, shënoi sot 20-vjetorin e themelimit, që për dy dekada rresht ka qenë një shtyllë e rëndësishme për avancimin e rolit të gruas në jetën fetare, arsimore dhe shoqërore të vendit.

Në këtë ceremoni solemne u theksua se themelimi i Departamentit të Gruas ka qenë një prej hapave më vizionarë të BIK-ut, duke krijuar hapësira të reja për përfshirjen aktive të grave në edukim, organizim dhe çështje komunitare. Përmes trajnimeve profesionale, aktiviteteve edukative, programeve humanitare dhe punës së palodhshme të mualimeve në terren, Departamenti ka arritur të ndikojë pozitivisht në mijëra familje dhe të ndërtojë një trashëgimi të çmuar morale e arsimore.

Udhëheqësja e Departamentit të Gruas, znj. Vaxhide Podvorica-Bunjaku, në fjalën e saj përshëndetëse, pasqyroi rrugëtimin dy dekadash, duke theksuar arritjet në përgatitjen e kuadrove të reja, forcimin e bashkëpunimit me institucionet e ndryshme dhe rolin esencial që gratë myslimane kanë luajtur në shoqërinë kosovare.

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, vlerësoi lart punën e Departamentit të Gruas, duke theksuar kontributin e tij në fuqizimin e institucioneve të BIK-ut, si dhe rolin e pazëvendësueshëm të mualimeve në edukimin fetar e arsimor të gjeneratave të reja. Ai tha se në frymën e mëshirës dhe drejtësisë që përçon Islami, BIK-u ndërmori hapa të guximshëm, si në themelimin e paraleleve të Medresesë për vajza në Prishtinë dhe Prizren më 1997, e më vonë edhe në Gjilan, duke çelur shtigje të reja diturie dhe emancipimi. Por, viti 2004 shënoi kthesën më të madhe. Në atë vit u mor vendimi me rëndësi për themelimin e Departamentit të Gruas – një akt largpamës, një hap i bekuar që e ngriti rolin e gruas shqiptare myslimane në piedestal të merituar brenda jetës fetare, kulturore e shoqërore.

Pjesë e këtij përvjetori ishin edhe zv.kryeministrja në detyrë, znj. Emilja Rexhepi dhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, znj. Albulena Haxhiu, të cilat shprehën mirënjohje dhe vlerësim për punën shumëplanëshe të Departamentit të Gruas, duke e cilësuar atë si një institucion kyç në fuqizimin e vajzave dhe grave të reja në vend.

Në shenjë nderimi, gjatë organizimit u ndanë mirënjohje për teologet dhe aktivistet e para, që hodhën themelet e këtij Departamenti, si dhe për bashkëpunëtoret që kanë kontribuar në vazhdimësi në zhvillimin e tij përgjatë 20 vjetëve.

Manifestimin e pasuroi edhe një ekspozitë me fotografi, e cila dokumenton veprimtarinë, projektet dhe zhvillimin e Departamentit ndër vite, duke sjellë para të pranishmëve një panoramë të qartë të kontributit të tij në jetën shoqërore dhe fetare të vendit.