Bashkësia Islame mirëpret bashkatdhetarët tanë

Prishtinë, më 31 korrik 2025

Drejtoria e Diasporës në Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, ka organizuar sot pritjen për bashkatdhetarët tanë, që jetojnë dhe veprojnë në mërgatë.

Nga Gjermania, Zvicra, Austria, e deri nga Australia dhe Amerika, u bashkuan sot në një takim tashmë tradicional në Medresenë “Alauddin” në Prishtinë.

Kësaj ftese iu përgjigjën kryetarë të unioneve dhe të bashkësive islame shqiptare, kryetarë të qendrave islame shqiptare, anëtarë të kryesive të qendrave, përfaqësues të xhamive dhe besimtarë të shumtë nga diaspora.

Ekrem Simnica, drejtor i Diasporës në Bashkësinë Islame të Kosovës tha se ky takim është një dëshmi e gjallë e vëllazërisë dhe e lidhjes fetare e kombëtare që na bënë krenarë në çdo vend të botës.

Mirëseardhje në vendlindje dhe në vendin ku morën mësimet fetare dhe kombëtare u dëshiroi edhe Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava me ç’rast tha se po e bëjnë krenarë vendin ku u arsimuan dhe u edukuan në vendet ku sot po jetojnë.

Në anën tjetër edhe bashkatdhetarë që ishin në këtë takim dhanë sugjerime, propozime dhe ide për thellimin e bashkëpunimit mes tyre dhe Bashkësisë Islame të Kosovës.

Ky takim tashmë është shndërruar në takim tradicional, ku çdo vit takohen në Medresenë “Alauddin” për të rritur mundësitë e bashkëpunimit për organizimin sa më të mirë të jetës fetare në vendet ku jetojnë mërgimtarët.

Në fund Bashkësia Islame e Kosovës kishe përgatitur dhurata për mërgimtarët tanë që ishin pjesë e këtij takimi miqësor dhe vëllazëror.