Bashkësia Islame e Kosovës ekzekutoi 75 mijë euro për mbështetjen e fëmijëve jetimë

Bashkësia Islame e Kosovës ka vazhduar edhe këtë muaj me përkrahjen e saj të rregullt për fëmijët jetimë në vend. Bashkësia Islame ka dhuruar gjithsej 75 mijë euro, një shumë e cila u është shpërndarë 500 fëmijëve jetimë, secilit në vlerë prej 150 euro për tre muajt e ardhshëm. Ky donacion është realizuar në bashkëpunim me Qendrën e Mbretit të Arabisë Saudite për Ndihma Humanitare.

Tanseli Rogova, drejtor i Financave në Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, bëri të ditur se pagesat tashmë janë transferuar dhe se synimi i institucionit është që mbështetja të jetë e vazhdueshme.

Sipas tij, “Bashkësia Islame e Kosovës është gjithmonë pranë jetimëve, si një nga kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë.”

Gjatë muajit të kaluar, BIK, në bashkëpunim me Shoqatën “Berqeti” ka shpërndarë çanta dhe pajisje shkollore për fëmijët jetimë, duke lehtësuar fillimin e vitit të ri shkollor për ta.

Në këtë drejtim, BIK-u ka paralajmëruar se nga viti i ardhshëm pritet të zgjerohet bashkëpunimi me Mbretërinë e Arabisë Saudite, me synimin që të rritet numri i jetimëve që do të përfitojnë nga ndihmat financiare dhe projektet e tjera humanitare.

Vetëm gjatë këtij viti, përmes këtij projekti, Bashkësia Islame e Kosovës ka ofruar 300 mijë euro në para të gatshme për fëmijët jetimë në vend, pa llogaritur format e tjera të ndihmave materiale dhe sociale.