Prishtinë, më 16 qershor 2025
Me fytyra të buzëqeshura dhe me lot gëzimi në sy, haxhilerët e Kosovës kanë filluar sot kthimin nga vendet e shenjta. Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, familjarë të shumtë kanë përqafuar më të dashurit e tyre pas përfundimit me sukses të haxhit.
Gjatë mesditës së sotme, kanë mbërritur në Prishtinë 473 haxhilerë, të cilët kanë përfunduar obligimin e tyre fetar në vendet më të shenjta të Islamit. Të emocionuar dhe mirënjohës, ata e kanë përshkruar këtë udhëtim si “rrugëtimin e jetës”, duke theksuar se përjetimet në Mekë dhe Medine janë të papërshkrueshme.
“Ka momente që nuk mund të përshkruhen me fjalë – është një përjetim shpirtëror që mbetet për gjithë jetën”, u shpreh njëri prej haxhilerëve.
Pjesëmarrësit në këtë udhëtim të shenjtë kanë vlerësuar lart organizimin e Bashkësisë Islame të Kosovës, duke e cilësuar si profesional dhe në përkujdesje të vazhdueshme gjatë gjithë qëndrimit në vendet e shenjta.
“I falënderojmë të gjithë organizatorët për përkushtimin dhe shërbimin e tyre të palodhshëm. Ka qenë çdo gjë në rregull që nga akomodimi, hoteli, ushqimi, por edhe në veçanti të udhëheqësve që na kanë ndihmuar për kryerjen e haxhit”, theksoi një tjetër haxhi.
Grupi i parë që u kthye sot përfshin haxhilerë nga komunat e Prizrenit, Malishevës, Skenderajt, Drenasit, Kamenicës, Suharekës, Podujevës, Lipjanit dhe Rahovecit. Ndërkaq, sonte në mbrëmje dhe gjatë ditës së nesërme, pritet kthimi edhe i grupeve të tjera të haxhilerëve.