Më 15 qershor 2025, në qytetin Koper të Sllovenisë u mbajt Forumi i Dytë i Paqes në Ballkan, një iniciativë e Konferencës së Ipeshkvijve Sllovenë (SŠK), që mblodhi rreth vetes udhëheqës fetarë nga 15 vende të Ballkanit.
Aktiviteti u zhvlliua me synimin për të nxitur dialogun ndërfetar dhe për të forcuar bashkëjetesën paqësore në rajon.
Ceremonia e hapjes u mbajt në Sallën e Shën Françeskut dhe mblodhi personalitete të larta nga jeta politike dhe shoqërore e Sllovenisë, përfshirë presidenten e Republikës së Sllovenisë, dr. Nataša Pirc Musar, ish-Presidentin Borut Pahor, si dhe përfaqësues të trupit diplomatik dhe të komuniteteve të ndryshme shoqërore dhe ekonomike.
Në fjalën e saj, Presidentja Musar, theksoi rëndësinë e rolit të udhëheqësve fetarë në ndërtimin e paqes dhe promovimin e solidaritetit dhe bashkëjetesës në Ballkanin Perëndimor. Ajo rikujtoi se ky rajon ende vuan pasojat e së kaluarës dhe përballet me sfida të mëdha si rënia demografike, emigrimi i të rinjve dhe pabarazia sociale. Sipas saj, komunitetet fetare kanë potencialin për të tejkaluar ndarjet politike dhe etnike, duke ofruar një vizion të përbashkët për të ardhmen.
Pjesëmarrës në këtë Forum ishin përfaqësuesit dhe udhëheqësit e kishave katolike, ortodokse, si dhe të bashkësive islame nga vende të ndryshme të Ballkanit.
Në emër të Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, në Forum mori pjesë shefi i kabinetit të tij, z. Besim Mehmeti.
Në sesionin e dytë të Forumit, ai mbajti një fjalë rreth modelit të bashkëjetesës dhe tolerancës ndërfetare në Kosovë, si dhe përkushtimit të Bashkësisë Islame të Kosovës për të promovuar vlerat universale të përbashkëta, si në nivel lokal ashtu edhe ndërkombëtar.