Filloi punimet Konferenca Globale “Ndërtimi i urave ndërmjet medhhebeve dhe sekteve”

Prishtinë, më 7 mars 2025

Nën patronazhin e Kujdestarit të Dy Xhamive të Shenjta, Mbretit Selman bin Abdulaziz al Saud, në Meke, filloi edicioni i dytë i Konferencës Globale me titull “Ndërtimi i urave ndërmjet medhhebeve dhe sekteve”, e cila është organizuar nga RABITA.

Ky edicion po konsiderohet një hap domethënës në forcimin e unitetit islam. Fokusi i kësaj Konference është të shkojë përtej dialogëve të përsëritur dhe të përqendrohet në programet praktike për zbatimin e Kartës së ndërtimit të urave ndërmjet shkollave të mendimit islam dhe sekteve. Në këtë Konferencë nga Bashkësia Islame e Kosovës, në emër të Myftiut Naim ef. Tërnava, po merr pjesë shefi i kabinetit të tij, mr. Besim ef. Mehemeti. Kjo Konferencë përreth vetes ka mbledhur më shumë se 500 delegatë, dijetarë të botës islame, liderë fetarë, myftinj, ministra dhe intelektualë nga më shumë se 90 shtete.

Në hapjen e Konferencës, pas leximit të Kuranit nga imami i Qabesë, Abdullah el Xhuheni, sekretari i Përgjithshëm i RABITA-s, dr. Muhamed Abdulkerim el Isa, në fjalën e tij, ndër të tjera tha: “Ne, në Ligën Botërore Myslimane, vlerësojmë sponsorizonim dhe mikpritjen bujare nga Kujdestari i Dy Xhamive të Shenjta, mbretit Selman bin Abdulaziz al Saud. Jemi të nderuar të mirëpresim dijetarët kryesorë të ymetit, përfaqësues të të gjitha sekteve dhe shkollave islame, në vendin e shenjtë, te kibla e tyre universale, të vendosur së bashku – me ndihmën e Zotit – për të arritur aspiratat e myslimanëve anembanë botës nga kjo ngjarje e jashtëzakonshme dhe unifikuese. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se rrugët negative të debateve sektare nuk e kufizuan tragjedinë vetëm tek autorët e tyre, por më tepër shkëndijat e tyre u shtrinë dhe dëmtuan Islamin dhe myslimanët në incidente të dhimbshme, të cilat historia i regjistroi në faqet e saj të errëta, siç e cek ajeti kuranor: “Dhe kini frikë nga një sprovë që nuk do t’i godasë ekskluzivisht ata që kanë bërë padrejtësi mes jush.” (Kuran, 8:25).

Konferenca gjatë dy ditëve do të koordinojë gjithashtu përpjekjet për të adresuar sfidat dhe kërcënimet e përbashkëta, me qëllimin e krijimit të një qasjeje sistematike që përkthehet në iniciativa dhe projekte që promovojnë moderimin, ndërsa kundërshtojnë retorikën dhe praktikat sektare.